| 08.01.2009 | 09:00 UTC
Për herë të parë Izraeli sulmohet me raketa nga Libani
Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve është ashpërsuar edhe më tej. Për herë të parë Izraeli njoftoi se shumë raketa Katjusha janë hedhur nga Libani në territorin izraelit. Sipas të dhënave të policisë shumë banorë janë plagosur lehtë. Izraeli ka sulmuar më pas me mortaja veriun e Libanit. Raketat e hedhura nga Libani sot janë incidenti i parë që nga viti 2006 kur u zhvillua lufta ndërmjet Izraelit dhe militantëve të Hizbollahut. Pas një armëpushimi disa orësh, ushtria izraelite gjatë natës vazhdoi ofensivën e saj në jug të Rripit të Gazës. Sipas njoftimeve të dëshmitarëve, dhjetra tanke i janë drejtuar qytetit Chan Junis, që konsiderohet si qytet mburojë i Hamasit. Avionët luftarakë kanë hedhur bomba mbi qytetin Rafah, në kufi me Egjiptin, duke shkatërruar tunelin që përdorej për kontrabandë.
Egjipti paralajmëron bisedime për konfliktin në Gazë
Egjipti ka ftuar Izraelin, autoritetet palestineze dhe Hamasin për bisedime për një armëpushim në Rripin e Gazës. Ambasadori egjiptian në Kombet e Bashkuara, Maged Abdelaziz tha në Nju Jork se kishin ftuar në Kajro përfaqësuesit e të gjitha palëve. Çdo delegacion do të takohet me përfaqësuesit e qëverisë egjiptiane. Por nuk është planifikuar një bisedë e përbashkët me të gjitha partitë, theksoi diplomati egjiptian. Sipas mediave izraelite, sot do të udhëtojë për në Kajro, Amos Gilad, një njeri i besuar i ministrit të mbrojtes Ehud Barak. Pritet që në bisedime të diskutohet për planin egjiptiano-francez, i cili parashikon një armëpushim të përkohshëm si dhe zhvillimin e bisedimeve për një zgjidhje afatgjatë të konfliktit. Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit nuk mundi të bie dakort për një linjë të përbashkët për zgjidhjen e konfliktit në Gazë.
Përfaqësuesi i Vatikanit krahason Rripin e Gazës me kampin e përqëndrimit
I ngarkuari për të drejtat e njeriut në Vatikan, kardinali Renato Martino, e ka krahasur gjendjen në Ripin e Gazës me një kamp përqëndrimi. "Kushtet në zonën palestineze i ngjajnë një kampi të madh përqëndrimi", tha Martino për gazetën Online "Il Sussidiario".
Palët në konflikt që ndjekin interesat e tyre egoiste kanë shkaktuar nga urrejtja varfëri dhe padrejtësi. Shumica e të vdekurve janë përherë nga popullsia civile. Izraeli e ka hedhur poshtë krahasimin e bërë nga kardinali. "Deklaratat e Martinos duken si një propagandë direkte për Hamasin", kumtoi Ministria e Jashtme izraelite. Veç kësaj, kardinali injoroi krimet e panumërta të Hamasit, thuhet më tej në reagimin nga Jeruzalemi. Papa Benedikti i XVI-të kishte bërë thirrje disa herë për dhënien fund të dhunës dhe për zhvillimin e një dialogu për zgjidhjen e krizës.
Konflikti për gazin: Vëzhguesit do të kontrollojnë furnizimin
Pak para bisedimeve për krizën me përfaqësuesit e BE-së, krerët e lartë të koncerneve të energjisë ruse dhe ukrainase janë takuar për bisedime për konfliktin e gazit. Sipas njoftimeve nga Moska, shefi i koncernit Gazprom, Alexej Miller dhe shefi i koncernit ukrainas Naftogaz, Oleg Dubina po përpiqen për të gjetur një zgjidhje të konfliktit. Hollësi nuk janë bërë të ditura. Miller dhe Dubina do të takohen sot në Bruksel me komisarin e BE-së për energjetikën, Andris Piebalgs, dhe me kryesinë e rradhës së BE-së, ministrin çek të energjetikës, Martin Riman. Për këtë do të kërkohet edhe një mandat për një kontroll ndërkombëtar të furnizimit të gazit në territorin rus dhe në atë ukrainas. Qeveria në Moskë dhe në Kiev kanë rënë dakort parimisht që vëzhgues të pavarur të kontrollojnë në kalimet kufitare të Ukrainës sasinë e gazit rus që transportohet.
Obama: Deficiti buxhetor në SHBA 1,2 bilion dollarë
Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Barak Obama (Barack Obama), i cili merr së shpejti detyrën e tij në këtë post, i duhet të përballojë një deficit të buxhetit shtetëror në një nivel rekord. Sipas një vlerësimi të zyrës buxhetore të Kongresit amerikan, për vitin 2009 llogaritet një deficit prej gati 1,2 bilionë dollarë, më shumë se sa dyfishi i një viti më parë. Për vitin 2010 ky deficit pritet të zbresë në 703 miliardë dollarë. Udhëheqësit demokratë në Kongres dhe ekipi i presidentit të zgjedhur Barak Obama vazhdojnë të diskutojnë hollësitë e planit të tyre stimulues për ekonominë. Për nivelin rekord të deficitit ata bëjnë përgjegjës para së gjithash ndihmat e shtetit për financimin e sektorit të prodhimit të automjeteve.
Qeveria gjermane po punon për një program shpëtimi për sipërmarrjet
Në Gjermani pas paketës për shpëtimin e bankave, qeveria po punon tani për një fond shpetimi për sipërrmarjet, të cilat janë të prekura nga kriza financiare. Bëhet fjalë për një garanci të shtetit deri në një shumë prej 100 miliardë eurosh. Qeveria bën të ditur se ky instrument mund të bëhet pjesë e paketës së re koniunkturore e diskutuar mes Unioni-t kristiandemokrat/kristiansocial dhe socialdemokratëve. Për bankat ka tashmë një fond shpëtimi. Ai përmban garanci të ndërsjelltë për firmat, bizneset dhe bankat.
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi viziton Kosovën
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi zhvillon sot dhe nesër një vizitë
zyrtare dy ditore në Kosovë, i ftuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir
Sejdiu. I shoqëruar nga Zonja e Parë, Kryetari i shtetit do jetë në krye të një
delegacioni zyrtar në përbërje të të cilit janë nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë,
deputetë të komisionit të jashtëm, të komisionit të sigurisë, të komisionit të
ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit. Presidenti Topi dhe delegacioni që e
shoqëron do të takojë e zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin e Kosovës Fatmir
Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe do t'i
adresohet me një mesazh përshëndetës deputetëve të këtij Kuvendi. Kjo është
vizita e parë zyrtare e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në shtetin e ri të
Kosovës. Kreu i Shtetit shqiptar ka kryer vizitën e fundit në Kosovë më 25 janar
2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kriza ekonomike prek tregun e punës
Kriza ekonomike ka prekur tani edhe tregun e punës. Në dhjetor numri i të papunëve në Gjermani është shtuar edhe me 114 mijë. Me këtë, në fund të vitit të kaluar ishin regjistruar gjithsej si të papunë 3 milionë e 102 mijë njerëz. Kuota është rritur 7,4%. Shefi i Agjencisë Federale të Punës, Frank - Jürgen Weise, tha se një tregues i rëndësishëm për shtimin e të papunëve është rritja e punëve me orar të reduktuar.






